?11 raste të reja të fëmijëve të prekur me fruth janë shënuar vetëm përgjatë javës së fundit. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se tashmë numri i të prekurve përgjatë muajit Janar ka arritur në 41 persona. Kryesisht ato janë fëmijë të moshës nën 2 vjeç, të cilët nuk kanë aplikuar vaksinën e fruthit.?
Ekspertët e shëndetësisë pohojnë se e favorizuar edhe nga situata gripale sëmundja po përhapet, duke shënuar çdo ditë raste të reja. Shumica e të infektuarve janë nga Tirana.
Gjithashtu nuk mungojnë edhe rastet ku sëmundja është marrë jashtë Shqipërisë, përkatësisht 3 vijnë Greqia dhe 1 nga Kosova. Deri më tani nuk ka asnjë rast të infektuar tek të rriturit.
Fruthi konsiderohet një sëmundje infektive, e cila mund të shkaktojë komplikacione të rënda deri në humbjen e jetës. Si pasojë e këtyre komplikacioneve, një javë më parë një foshnje 4 muajshe ndërroi jetë në Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Mjekët thonë se vaksinimi mbetet forma e vetme e mbrojtjes nga kjo sëmundje. Vaksina e fruthit, injektohet tek fëmijët në dy doza, 1 dhe 5 vjeç. Fruthi u rikthye në vendin tonë një vit më parë ku shënoi mbi 1000 të prekur dhe tre vdekje.
Tv Klan