Sheshi padit kreun e Autoritetit te Dosjeve

2019-01-29 2

Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që sipas Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit rezulton bashkëpunëtor i kësaj strukture të regjimit komunist, ka paditur Gentiana Sulën kreun e këtij autoriteti për falsifikim të dokumenteve.

?Konkluzionet e parashtruara në vendim janë të rreme. Të gjitha faktet e pasqyruara në dispozitivi nuk përputhen dukshëm me të dhënat e administruara nga AIDSSH. Aty thuhet Bujar Rasim Shesha, datëlindja 1957, vendlindja Tiranë, nxënës në shkollën e Mesme ?Petro Nini Luarasi?, ndërkohë që gjeneralitetet e mija nuk përputhem me gjeneralitetet e përshkruara në këtë dokument. Në vendim nuk ka asnjë shpjegim se si Autoriteti ka arritur në konkluzionin që personi i përshkruar në këtë dokument jam pikërisht unë, Bujar Sheshi?.

Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit të Dosjeve pranon se ka mospërputhje të gjeneraliteteve, por sipas tij, është provuar se bëhet fjalë për të njëjtin person. Vetë Sula shprehet e hapur për t?u hetuar dhe sipas saj nuk ka asnjë prapavijë politike në dokumentin e lëshuar nga Autoriteti që ajo drejton, siç pretendon Sheshi.

Komisioni i Pavarur i Monitorimit të organeve të reja të drejtësisë i rekomandoi një ditë më parë Komisionit të Ligjeve mbledhjen e një seancë dëgjimore për drejtuesen e Autoritetit, për ta pyetur për rastin Sheshi. Por Ulsi Manja thotë se nuk do të ketë një të tillë dhe se do të presë që gjykata të shprehet mbi vërtetësinë e dokumentit të nxjerrë për anëtarin e KLP, Bujar Sheshi.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ligjshmërinë e këtij vendimi, si dhe vërtetësinë e deklarimeve të Prokurorit Sheshi. Pjesë e hetimit janë edhe veprimet e ndjekura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ato të Autoritetit të Dosjeve.

Tv Klan