IRANË-Tre ditë më parë Partia Demokratike denoncoi se anëtari i KLP-së, Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë që denoncimi u konfirmua edhe nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, që përmes një shkrese theksonte se ka vënë në dijeni dhe Kryeprokuroren Arta Marku (lexo këtu). Por në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtari Bujar Sheshi e ka mohuar një gjë të tillë duke deklaruar se është një sajesë e ulët, që synon goditjen e reformës në drejtësi.
?Kjo është sajesë e ulët. Synimi i sulmit është bllokimi i reformës në drejtësi dhe vettingut. Unë arrij në përfundimin se synohet që të pengohet reforma në drejtësi, të shfrytëzohet për të goditur vettingun, për ta paraqitur si të motivuar politikisht, por edhe rolin e ndërkombëtareve, që ka mbështetur procesin. Në rastin konkret, nuk synohet vetëm goditja ime si hakmarrje për çështjet që kam gjykuar, por mendoj se synohet goditja e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në momentin e krijimit të SPAK-ut dhe prokurorit të Përgjithshëm.
Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara, jo vetëm në njërin krah, por persona me pushtet. Përballë kësaj situate do të kërkoja të gjithë përkrahjen tuaj për të zbardhur të vërtetën dhe zbardhur këtë skenar mafioz. Kërkoj reagimin tuaj për të mbrojtur KLP-në. E ndiej për detyrim që të shpreh qëndrimin tim se refuzoj kategorikisht cdo insinuatë dhe cdo vendimmarrje të institucioneve të shtetit, që unë kam qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Ju faleninderit dhe iu kërkoj falje për shqetësimin, por nuk mendoja se do të arrinin deri këtu? deklaroi ai. Ndërsa kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi u shpreh se në ditët në vijim do të vendoset nga institucioni që ai drejton për këtë çështje.