Shqiptarja.com dhe Report Tv që denoncuan skandalin disponojnë dokumentet e urdhërlirimit të Naser Gashit, ku duket qartë se prokurorja Rita Gjati është në dijeni të faktit se personi që po lironte është Naser Gashi, supertrafikant droge i dënuar me 7.4 vite burg nga drejtësia shqiptare dhe i shpallur në kërkim (Lexo këtu). Rita Gjati, e shkarkuar pak vite më parë nga ish-kryeprokuroja Ina Rama, dhe rikthyer në sistemin e prokurorisë nga Adriatik Llalla, në dokumentin e urdhërlirimit shprehet se policia ka konstatuar se i ndaluari nuk është Saimir Bula i datëlindjes 4.09.1989 siç ishte i shënuar emri i tij në pasaportën që iu gjet, por Naser Gashi i datëlindjes 20.11.1960, një trafikant droge në kërkim.
Por pavarësisht këtij konstatimi, prokurorja Rita Gjati ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Naser Gashit siç thuhet edhe në këtë dokument që ka siguruar Shqiptarja.com. Në këtë dokument qartësohet se prokurorja, Rita Gjati, ka konstatuar se është ndaluar një person i shpallur në kërkim për trafik droge dhe ka firmosur lirimin e tij, urdhër ky që është ekzekutuar menjëherë nga shefi i komisariatit të Kukësit, Agim Basha. Edhe kryepolici Basha natyrisht ishte ne djeni që Gashi ishte i superkërkuar, por e ka liruar duke zbatuar urdhërin e Rita Gjatit.