Report TV - Pasuria e dyshimtë/ Gjyqtari Avni Sejdi bleu apartament me para dhuratë

2019-01-27 8

Gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Avni Sejdi, i cili me anë të dy vendimeve të kundërta (lexo këtu), të marra brenda 13 ditësh, ka favorizuar shoqërinë EKMA Albania për abuzimin në kurriz të tregtarëve në Tregun Agro-Ushqimor, ka blerë një apartament në Tiranë kryesisht me para dhuratë, hua dhe kursime. Në vitin 2005, gjyqtari deklaron një kontratë për blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë, ndërsa nuk jepen të dhëna për sipërfaqen. Si burime të ardhurash për të justifikuar blerjen e apartamentit, gjyqtari Avni Sejdi deklaron 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit.

Po ashtu, deklaron një hua pa afat dhe pa interes në vlerën 1 000 000 lekë, 700 000 lekë kursime në vitin 2003 dhe 2004, 400 000 lekë kredi, 400 000 lekë nga kursimet e pagës të vitit 2005 dhe 1 000 000 lekë është shuma e mbetur e paguar. Gjyqtari thotë se kredinë e ka marrë pranë Raiffeisen Bank në datën 01.08.2005, me qëllim për të kaluar pushime jashtë vendit, por e ka përdorur për të shlyer këstin e apartamentit. Ndërkaq, në vitin 2009, gjyqtari Avni Sejdi deklaron 120 000 lekë të ardhura nga puna e bashkëshortes si dado e pasiguruar.

Ashtu si shumë gjyqtarë të tjetër, edhe gjyqtari Sejdi ka deklaruar makinë me një çmim të caktuar, ndërsa e ka shitur më shtrenjtë disa vite më vonë. Në realitet ndodh e kundërta, pasi me kalimin e viteve makinave u bie vlera për shkak të përdorimit dhe amortizimit. Konkretisht, në deklaratën e parë të pasurisë te 2003 gjyqtari deklaron një autoveturë e llojit Benz 190, me vlerë 250 000 lekë, me të ardhura nga paga. Në vitin 2007, pra pas 4 vitesh, deklaron se e ka shitur makinën me vlerë 400 000 lekë. Pra, edhe pse kanë kaluar 4 vite, vlera e makinës është rritur me 150 000 lekë. Ndërkaq, në vitin 2012, blen makinë Mercedes Benz CDI, vit prodhimi 2000, me vlerë 300 000 lekë. Mbetet për t?u parë nëse gjyqtari, me gjithë këto elemente të dyshimta në deklaratat e pasurisë, do ta kalojë apo jo sfidën e Vetingut.