Banorët e Qarkut të Elbasanit do të mund të marrin tashmë shërbime më të mira nga qendra spitalore rajonale, e cila tashmë ka disa pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore. Rezonanca magnetike është investimi më i ri me vlerë 770 mijë dollarë. Gjatë qëndrimit në Elbasan, kryeministri Rama ka parë nga afër ambientet, sëbashku me ministren Ogerta Manastirliu.
"Rezonanca e re magnetike kompleton të gjithë shërbimin e imazherisë. Grafia dixhitale ka ardhur në këtë spital në kuadër të programit të Bankës Botërore që kemi bërë për modernizmin e spitaleve, së bashku me një set aparaturash të tjera. Pjesë e këtij investimi është gjithashtu edhe rezonanca në vlerën e 770 mijë dollarë, e cila është instaluar dhe është në funksion të plotë. Nëse deri dje imazheria ishte e shpërndarë në këtë spital, skaneri, grafia, tashmë janë të gjitha të përqendruara në një ambient?, është shprehur Manastirliu.
Ndërtesa e vjetër e Spitalit të Kirurgjisë në këtë qytet, ndërtim i vitit 1976, tashmë po rikonstruktohet për t'u kthyer në Spital të Urgjencës dhe të Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë.
Spitali do të ofrojë një shërbim me rreth 76 shtretër, 25 për urgjencën, 35 për kardiologjinë dhe 23 për neurologjinë.
?Gjithë sfida është të dalë populli nga spitali, në kuptimin që spitalet janë për pacientët, ku vijnë në qetësi, në rregull, të ketë orar vizitash për familjarët, por nuk mund të jetë spitali pikë grumbullimi e gjithë dynjasë. Patjetër duhet investuar në këtë pjesë, pasi spitali është një territor ku duhet të ketë rregull dhe qetësi të madhe. Këtu ka ndodhur një transformim i madh, për hir të së vërtetës. Ishte një llahtar. Tani ka marrë formë,? u shpreh Rama.