Shpenzime dhe gjatë bojkotit, ja pagesat e deputetëve të PD-së për hotele e qira

2019-01-24 0

Disa deputetë të Partisë Demokratike, gjatë periudhës së bojkotit të Kuvendit, kanë përfituar edhe pagesa për qira si dhe për fjetje në hotel. Në të njëjtën kohë ata kanë përfituar edhe pagesa për karburant, telefon si dhe dieta. Gjatë harkut kohor nëntor-dhjetor 2018, periudhë gjatë të cilës Partia Demokratike kishte braktisur jetën parlamentare për llogaritë e saj politike, deputeti demokrat Xhemal Gjunkshi rezulton se ka përfituar nga buxheti i Kuvendit 18,000 lekë për fjetje në hotel.

Gjithashtu, edhe deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka përfituar 6,000 lekë për fjetje në hotel si dhe rreth 1 mijë USD dieta. Deputetja e PD Nadire Meçorapaj, gjatë periudhës në fjalë, kur opozita kishte braktisur Parlamentin, ka përfituar 59,500 lekë si ndihmë nga shteti për të jetuar në shtëpi me qira. 59,500 lekë rezulton se ka përfituar edhe deputetja tjetër e PD, Izmira Ulqinaku, rimburim nga shteti për pagesën e qirasë. Zonja Ulqinaku, ndonëse nuk ka qenë asnjë ditë në Kuvend, ka përfituar edhe 150,500 lekë dieta.

Rimbursim nga shteti për qiranë ka përfituar edhe deputeti i PD, njëherësh kryetari i LZHK, Nard Ndoka, po në vlerën 59,500 lekë. Gjithsej janë 10 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë të cilët përfitojnë çdo muaj pagesa për qiranë, për shkak të statusit të deputetit që lidhet me veprimtarinë parlamentare. Ndërkaq, disa nga deputetë në fjalë, në deklaratat vjetore të pasurisë, kanë deklaruar më shumë se sa dy banesa dhe makina me vlerë deri në 100 mijë euro. Të gjithë deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, përveç nënkryetarit Edi Paloka, kanë përfituar çdo muaj gjatë periudhës së bojkotit, rreth 80 000 lekë për karburant si dhe 34,000 lekë për shpenzimet në telefon.