Sot është kremtuar 99 vjetori i Kongresit të Lushnjës,teksa pasardhësit e grupit nismëtar të këtij kongresi edhe sot kanë përfituar nga rasti për të bërë apel që përkujtimi i ?Kongresi të Lushnjës? të shpallet festë kombëtare.
Në kuadër të kësaj dite në qytetin e Lushnjës u zhvillua një aktivitet përkujtimor të ngjarjes të rëndësishme historike për vendin tonë, teksa prezent ishin edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, zv/ kryeministri Erion Braçe si edhe deputetët e Lushnjës, Bashkim Fino e Tatjana Piro.
Pas përshëndetjes së kreut të Bashkisë Fatos Tushe, fjalën e mori kryetari i Kuvendit i cili promovoi vlerat e këtij Kongresi për shtetin e ri shqiptar dhe parlamentarizmin.
Nga ky qytet nisi diplomacia shqiptare, në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit. Kongresi i Lushnjes, si një ylber pas rrebesheve të kohës, rilindi ndërgjegjien e lartë politike dhe tregoi pjekurinë e shqiptarëve.
Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit
Sipas kreut të Bashkisë Lushnjë, është përgatitur tanimë kuadri ligjor për t'u shpallur festë kombëtare "Dita e Kongresit Kombëtar të Lushnjës".