Paketa fiskale 2019/ Drejtoria e Tatimeve: Ja ndryshimet që prekin tatimin mbi të ardhurat

2019-01-21 0

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se norma tatimore mbi të ardhura nga punësimi, sipas nivelit të pagës bruto, nuk do të zbatohet për pagën mujore bruto deri në 30, 000 lekë ndërsa për pagën mujore bruto 30,001-150,000 lekë do të zbatohet 13% dhe për atë mbi 150,000 lekë do të zbatohet 23%.

Tatimet kanë bërë me dije se të ardhurat me burim konsiderohen edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident. Rezidenti që përfiton shërbimin, do të mbajë për këto të ardhura Tatimin në Burim nga pagesat që do të bëjë për jorezidentin.

Do t?i nënshtrohet Tatimit mbi Fitimin edhe çdo person jorezident, i cili nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat. Për përmbushjen e këtij detyrimi, personat jorezidentë do të plotësojnë deklaratën e veçantë të të ardhurave të tatueshme, e cila duhet dorëzuar brenda datës 31 mars të vitit pasues dhe paguajnë tatimin në kohën e dorëzimit.

Për efekt të llogaritjes së rezultatit të vitit fiskal, do të konsiderohen shpenzime të panjohura shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.

Tatimi mbi Dividentin do të aplikohet në shkallën tatimore 8%. Për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, kjo shkallë zbatohet me kushtin që:

-tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;

-tatimi për dividentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Nëse nuk zbatohen kushtet e mësipërme tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividetin.

Në rast se pasuria e luajtshme ose e paluajtshme që siguron kredinë, ekzekutohet përpara afateve të përcaktuara në ligj për fshirjen e borxhit të keq, provizionet e mëparshme bankare, të njohura si shpenzime të zbritshme, do të vazhdojnë të njihen si të tilla.

Të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore e vendore, Organizatat Jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë Tatimin në Burim nga shuma bruto e pagesave për shërbimet e konsulencës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vazhdimësi do të informojë tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, për ndryshimet e legjislacionit tatimor, të cilat kanë hyrë tashmë në fuqi