PD mbledh të shtunën Këshillin Kombëtar, do zgjidhet Kryesia e re dhe do caktohet data e protestës

2019-01-17 0

PD do të mbledhë te shtunën më 19 janar Këshillin Kombëtar, i cili do të zgjedhe lidershipin e saj te ri. Të shtunën do të zgjidhen edhe nënkryetarët e Partisë, Sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe 4 sekretarë. Në Kryesinë e PD-së hyn drejtpërdrejtë pa votë veç kreut të PD-së, edhe zëdhënësja e PD-së, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe kryetarët e LGDSH dhe FRPD.

Kryesia e re, e cila do të dalë nga votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, do të ketë vendimmarrje të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Statuti i PD-së parashikon se eshte Kryesia që vendos për kandidatët për kryetarë bashkie dhe deputetë. Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë këtë të shtunë edhe kryetarin e saj me një mandat 4-vjeçar.

Gjithashtu, nga kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar demokrat pritet të caktohet edhe data e nisjes së protestave, pas paralajmërimit që opozita e bashkuar dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, paralajmëruan mbrëmjen e kaluar.

Nga 353 emrat e Këshillit të ri Kombëtar, 150 prej të cilëve të zgjedhur nga Kuvendi i kësaj force politike, spikasin ata që konsiderohen kundërshtarë të kreut demokrat Lulzim Basha. Me ndryshimet e bëra në statut, Këshilli kombëtar ka anëtarë të përhershëm të tij përveç ish-presidentëve, ish-kryeministrave dhe ish-kryetarëve të Partisë Demokratike, edhe ish-kryeparlamentarët që janë anëtarë të PD në momentin e thirrjes së këshillit.

Është ky Këshill i përbërë nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar, krerët demokratë të bashkive, deputetët, krerët e degëve, Sekretari i Përgjithshëm, ata funksionalë dhe ish-kryeministra, ish-presidentë dhe ish-krerë parlamenti, i cili do të zgjedhë për herë të parë kryetarin e Këshillit me mandat 4 vjeçar, sipas përcaktimit të nenit 50 të statutit.