Një ditë pas publikimit nga Zëri i Amerikës, të lajmit se zyrtarë të Partisë Socialiste kanë ndërhyrë tek ish-drejtori i Burgjeve Arben Çuko, për të punësuar militantë partiak ka folur këtë të martë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Në një deklaratë për mediat Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj hodhi poshtë akuzat për emërime partiake duke thënë se se i gjithë procesi i punësimit në institucionin e burgjeve ka qenë i hapur dhe meritokratik.
Sipas Gjonaj procesi ka qenë transparent dhe këtë e provon edhe fakti që në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë vazhdimisht janë publikur emërimet e listës së personave të punësuar, dhe njoftimi për të gjithë personat e interesuar për të kandiduar në vendet e punëve vakante.
"Hedh poshtë akuzat për emërime partiake në burgje. Procesi i punësimeve në burgje ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik. Për herë të parë trajnimi i burgjeve është bërë me Akademinë e burgjeve. Procesi i punësimeve ka qenë u hapur transparent për të gjithë dhe vërtetohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Kam dosjen e plotë të gjithë procesit të listës përfundimtare të atyre që kanë fituar. Pikërisht këtu është njoftimi që mund ta verifikoni në faqen zyrtare të ministrisë, që është bërë thirrje për çdo person të interesuar të kandidojë. Çdo shtetas shqiptar i interesuar, i cili plotësonte kërkesat për të aplikuar në policinë e burgjeve ka pasur mundësinë të aplikojë.Për fat të keq të atyre që kanë bërë deklarata dje them se interesimi i qytetarëve ka qenë i lartë dhe këtë e tregojnë shifrat e që janë 1385 persona që kanë aplikuar", u shpreh ministrja Etilda Gjonaj.
Një ditë më parë , Zëri i Amerikës publikoi një artikull ku akuzohen zyrtarë të Partisë Socialiste se kanë përdorur konkursin publik nëpër burgje për të punësuar militantë partiak .