Edhe pse transporti publik mbetet një ndër mënyrat më të përdorura në qytetin e Tiranës, problemet në këtë sektor janë të shumta. Disa linja nuk respektojnë frekuencat, por ka edhe nga ata që bëjnë vonesa të qëllimshme në stacione për të kursyer e për të mbledhur sa më shumë pasagjerë.
Nga një vëzhgim që Report Tv bëri në stacionet e autobusëve, rezulton se vonesat janë deri në 30 minuta dhe se qytetarët duhet të presin në shi dhe temperatura të ulëta. Por jo vetëm vonesat, por edhe kushtet lënë për të dëshiruar.
"Përdor "Tiranën e Re" por është një linjë që ka vonesa shumë të mëdhaja, për ne është shumë problem sepse gjithmonë mbërrijmë shumë vonë në punë", u shpreh një qytetare. "Autobusi që unë pres gjithmonë, i "Uzinës Dinamo", vonohet shumë, shumë fare, dhe ka raste që në shkollë iki në këmbë sepse mund të vonohem në mësim", u shpreh një tjetër qytetar.
"Unë përdor linjën "Uzina Dinamo-Sharrë". Është një nga linjat më të këqija që ekziston sot për sot në Tiranë. Hipën në autobus, faturino është i alkoolizuar, vjen kontrolluesi i cili është më i keq se faturinoja, ngrohje nuk ka", rrëfeu një e tretë.
Nisur nga ankesat e qytetarëv, Report Tv kontaktoi edhe me Drejtorinë e Inspektimit të Shërbimeve Publike në Bashkinë e Tiranës. Thoma Qirushi u shpreh se ka ankesa nga qytetarët dhe ato shqyrtohen duke marrë masa ndaj kompanive që ofrojnë shërbimin. Ankesat janë të natyrave të ndryshme, por edhe gjobat e vendosura janë të shumta në një ditë.
"Ne si agjenci e mbrojtjes së konsumatorit kontrollojmë të gjithë operatorët të cilët funksionojnë dhe shërbejnë në transportin publik urban. Në lidhje me vitin që lamë pas, ne kemi vendosur rreth 700 masa administrative për shkeljet që kemi konstatuar.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre masave kanë qenë edhe prej problematikave që kanë ardhur në agjenci përmes qytetarëve të Tiranës, përveç dhjetra kontrollorëve që kemi në terren dhe kontrollojnë transportin publik", u shpreh Thoma Qirushi.
Transporti publik në qytetin e Tiranës mbulohet nga 10 operatorë privatë, të cilët ofrojnë shërbimin e tyre në 15 linja me shtrirje në gjithë qytetin.