2 viktima nga moti i ftohte

2019-01-14 0

Moti i ftohtë që ka përfshirë sërish vendin ka shënuar dy viktima. Një 53-vjeçar nga fshati Selcë e Sipërme të Pogradecit është gjetur pasditen e se dielës, i ngrirë në dëbore. Viktima Ajet Zikollari kishte shkuar në një fshat tjetër për të marrë ushqime, por nuk arriti të kthehej. Ndërsa një endacak është gjetur i pajetë në një bodrum pranë portit të Durrësit. Viktima është identifikuar si Viktor Dhima dhe njihej si konsumues i rregullt i alkoolit.

Në veri të vendit situata është përkeqësuar përgjatë 24 orëve të fundit. Rikthimi i reshjeve të dëborës në Dibër dhe ulja e temperaturave kanë krijuar problematika në qarkullim. Më shumë se 60 fshatra vazhdojnë të jenë të bllokuar dhe nuk kanë asnjë komunikim me qytetin. Qarkullimi në rrugët nacionale bëhet vetëm me zinxhir.

Edhe në qarkun e Elbasanit janë rikthyer problemet në zonat malore me rinisjen e reshjeve të dëborës. Fshatra të thellë malorë të Prrenjasit, Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit aktualisht kalohen me vështirësi edhe me zinxhirë. Ndërkohë fshatra të veçantë janë izoluar.

Aksi rrugor Elbasan-Qafëthanë është i hapur, por drejtuesit e automjeteve duhet të mbajnë zinxhirë me vete. Të izoluar nga dëbora, janë edhe zonat e thella të Kukësit, Dukagjini dhe disa fshatra të thellë në Gjirokastër. Sa i takon rrugëve nacionale, ato janë të gjitha të hapura, në disa prej tyre kalimi bëhet me zinxhir. Përkeqësimi i kushteve të motit ka bërë që shumë shkolla të pezullojnë sërish procesin mësimor, në Dibër, Elbasan, Kukës dhe Gjirokastër.

Tv Klan