Edi Rama do të jetë edhe Ministër i Jashtëm. Mos dekreti nga Ilir Meta i të propozuarit të tij në këtë post Genti Cakaj, e ka çuar Kryeministrin drejt këtij vendimi që e ka bërë të njohur vetë përmes rrjeteve sociale, ku akuzon sërish Presidentin për shkelje të Kushtetutës.
"Presidenti s'e ka ç'dekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s'kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit".
"Vetëm pak minuta më parë janë protokolluar në Presidencë propozimet e firmosura nga kreu i qeverisë. Ai për emërimin e tij edhe si Ministër i Europës dhe Punëve të Jashtme, por dhe kërkesa për herën e dytë për të shkarkuar Ministrin në detyrë, Ditmir Bushati. Por përpara se të shprehet me dekret, Presidenti ka zgjedhur t?i përgjigjet po në rrjetet sociale Kryeministrit, që e akuzoi se ka shkelur afatet kushtetuese për dekretimin e largimit të Ditmir Bushatit".
?Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. No more fake state. Shqipëria e Para!?, shkruan kreu i shtetit në replikën e radhës me kreun e qeverisë.
Edi Rama i dërgoi Presidentit të premten e 4 Janarit kërkesën për shkarkimin e 7 ministrave, si dhe Zv/Kryeministres, si dhe emërimin e zëvendësuesve të tyre. Ilir Meta dekretoi të gjitha propozimet e Kryeministrit Rama, përveç atij të shkarkimit të Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatin dhe emërimit të Genti Cakajt në vendin e tij, çka u bë shkak për një përplasje të fortë institucionale mes 2 krerëve më të lartë të shtetit, që u pasua edhe me akuza po kaq të forta personale.
Me propozimin për ta drejtuar vetë Ministrinë e Jashtme, Rama duket se ka gjetur zgjidhje sa për ngërçin e krijuar.
"Procedura që do të ndiqet për marrjen e kompetencave të Ministrit të Jashtëm nga Kryeministri është e njëjtë me atë për çdo ministër. Nëse Presidenti e shfrytëzon të gjithë afatin 7 ditor për të nxjerrë dekretin, atëherë parlamenti do të mblidhet në datën e lajmëruar 21 Janar. Maxhoranca po shqyrton edhe mundësinë e një seancë të jashtëzakonshme ku të miratohen të gjitha dekretet e ndryshimeve në qeveri".
Edi Rama nuk është i vetmi Kryeministër në rajon që njëkohësisht do të drejtojë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. I pari ishte Aleksis Tsipras në Greqi, pas dorëheqjes së Nikos Kotzias.
Tv Klan