Mbylljes së pikave të basteve sportive prej 1 Janarit të këtij viti duket se nuk i dha fund fenomenit i cili nga sallat kaloi online. Por institucionet shqiptare thonë se po vijojnë punën për të bllokuar aksesin te bastet sportive për të gjitha kompanitë e huaja që ofrojnë baste online. Ka qenë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që ka urdhëruar kompanitë që ofrojnë shërbim interneti në Shqipëri të mbyllin 476 website që ofrojnë lojëra fati online.
Listat janë marrë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në një njoftim të AKEP, thuhet se në cilësinë e organit rregullator në këtë fushë është i vendosur për t?i shkuar deri në fund zbatimit të ligjit. AKEP kërkon nga kompanitë e internetit të bllokojnë menjëherë aksesin në këto website që ushtrojnë një aktivitet tashmë të paligjshëm në vendin tonë.
Ditët e fundit, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka bllokuar të tjera raste në Tiranë dhe në rrethe që vijonin të ushtronin aktivitetin e lojërave të fatit. Brenda këtyre lokaleve të tyre janë sekuestruar njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje elektronike të cilat shërbenin për vendosjen e skedinave.