Zaev: Maqedonia e Veriut i tha po anetaresimit ne NATO e BE

2019-01-12 1

"Pas vendimit historik të Parlamentit të Maqedonisë konfirmuam se bashkë jemi duke e çuar vendin drejt ardhmërisë së dëshiruar në familjen evropiane", tha Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev një ditë pasi u miratuan ndryshimet kushtetuese.

"Vota për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, është vendim kundër izolimit, pasigurisë dhe varfërisë, vendim që u jep forcë të rinjve të jenë krah për krahu me moshatarët evropian".

Por, nga opozita maqedonase kërkuan që të hënën të shpërbëhet Parlamenti dhe së bashku me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe ato të jashtëzakonshme parlamentare.

"Mos u fshihni pas vendimeve partiake, siç u fshehët pas votave të 81 deputetëve, për ta shkelur vullnetin e popullit. Të dalim në zgjedhje", tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Analistët politik vlerësojnë se Marrëveshja e Prespës duhet të shërbejë si model në rajonin e trazuar të Ballkanit. Ndërkaq, qytetarët janë të ndarë. Maqedonasit shprehen të matur, kurse shqiptarët optimistë.

"Nuk pres asgjë, të jem i sinqertë, nuk shoh perspektivë. Maqedonia ka shumë alternativa por çdoherë e zgjedh më të keqen".

Pavarësisht këtyre përplasjeve, pritet që këto ndryshime kushtetuese së bashku me ligjin kushtetues të hënën të shpallen në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, dhe pala greke do të vihet zyrtarisht në dijeni për përmbushjen nga ana maqedonase të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës.