Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK, pajisin Cakajn me certifikate sigurie brenda 1 dite

2019-01-11 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
#oranews

Një nga arsyet e Presidentit Meta për mosdekretimin e Gent Cakaj si Ministër i Jashtëm, ishte dyshimi se ai është pajisur me certifikatë sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar duke shkelur ligjin. Për këtë, Kreu i Shtetit i kërkon Kuvendit të ngrejë një Komision hetimor parlamentar për të verifikuar këtë procedurë. Po ashtu edhe Lulzim Basha u shpreh se opozita do të kërkojë hetim parlamentar për Kryeministrin dhe institucioent e përfshira në këtë rast.
Jo vetëm refuzoi të dekretojë një Ministër të Jashtëm, por presidenti Ilir Meta kërkon t?i shkojë deri në fund dyshimit të tij se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka shkelur ligjin.
Nëpërmjet një letre, Kreu i Shtetit i kërkon kryetarit të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare të nisin një hetim administrativ për të parë sesi brenda një dite, DSIK ka kryer të gjitha verifikimet për Gent Cakajn dhe e ka pajisur me të gjitha certifikatat e sigurisë.
Këtë fakt, Presidenti e mbështet në korrespondencat që ka patur me Ministrinë e Jashtme dhe me vetë Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
"MEPJ konfirmon se ky institucion e ka përcjellë menjëherë më 03.01.2019 e Gent Cakaj pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe kjo e fundit, e ka pajisur atë me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një ditë) më pas më datë 04.01.2019. Në formën si është kryer procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj, ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar".
Një proces verifikimi brenda 24 orëve për Presidentin krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive të DSIK, sidomos kur verifikimi duhej të shtrihej edhe në organizatat partnere të Kosovës.

Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/article/meta-kerkon-hetim-parlamentar-dsik