Platforma për punësimin e 1 mijë studentëve ekselentë, Rama: S'do bëhej e mundur pa protestën

2019-01-11 2

Prezantohet platforma online për punësimin e rreth një mijë studentëve, një premtim ky i kryeministrit Edi Rama në dhjetor të vitit të kaluar kur studentët nisën protestat për kushte më të mira akomoduese dhe universitare. I pranishëm në prezantimin e portalit "Punetembare.al" kryeministri Edi Rama tha se kjo nuk do bëhej realitet pa protestën e studentëve. Janë 840 vende të lira pune në administratë ku do të rekrutohen studentë ekselentë pa pasur nevojë për konkurs. Kreu i qeverisë tha se punësimet do bëhen në bazë të meritës dhe jo përmes njohjeve apo lidhjeve miqësore e familjare.

Ky program nuk mund të bëhej pa ju dhe protestën, sepse ligji i shërbimit civil dhe rekrutimi në Shërbimin Civil bazuar në këtë ligj e pengonte. Është bërë një punë e gjatë me Komisionin Europian. Protesta dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella dhe një nevoje të madhe për të hapur dyert e administartaës dhe pengesave që ka ligji, na dha mundësinë që të ulemi me partnerët europianë dhe thamë që mund ta kapërcejmë ligjin dhe t'u hapim rrugë më të mirëve që mund të kontribuojë në administratë. E dini shumë mirë, ti mund të kesh mbaruar me të gjitha 10-a, shkon në DAP dhe të thonë nuk ke eksperiencë. Por ti bën pyetjen se ku do ta përfitoj unë eksperiencën. Këtu nuk ka nevojë për konkurs sepse konkursin ai e ka bërë gjatë viteve akademike.

Edi Rama, kryeministër
Rama tha në administratë ka vende të lira pune jo vetëm për ata me master, por edhe për studentët që kanë vetëm Bachelorin. "Ndryshimi është se ai me master mund të shkojë më lart, mund bëhet drejtor, por jo ti me Bachelor. Por edhe për ty ka punë", theksoi kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se punësimi nuk ishte pjesë e tetë kërkesave të opozitës, por këtë e ofroi vetë qeveria. "Këtë e kemi shtuar ne sepse nuk ishte te kërkesat. Kërkesat e studentëve po realizohen", shtoi kryeministri.