50 centimetra ka arritur trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella tashmë ka kaluar një metër, duke izoluar kështu thuajse të gjithë fshatrat. Kjo situatë ka bërë që qarku i Dibrës të ngrejë Shtabin e Emergjencave.
Veç rrugëve rurale që janë të gjitha të bllokuara, situata paraqitet problematike edhe në rrugën nacionale Peshkopi - Tiranë e cila është e bllokuar në 2 segmente në Qafën e Ulzës dhe në Bulqizë, nga pishat deri në Qafë të Buallit .
Peshkopi - Kala e Dodës Kukës kalohet vetëm me automjete të kalueshmërisë së lartë me zinxhirë deri në Sllovë, më tej e bllokuar. Trashësia e borës kalon mbi 1 metër dhe është e pamundur sapo kalon borë pastruesja bllokohet për 10 minuta.
Gjatë natës, në aksin Peshkopi-Tiranë ka qenë edhe prefekti i Dibrës. Në këtë aks nuk kanë munguar as aksidentet. Probleme ka edhe në aksin Bajram Curri-Valbonë ku ka rënie orteqesh në 2 vende duke bllokuar qarkullimin, dhe po punohet për hapjen e rrugës.
I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në Qafën e Malit - Fierzë në vendin e quajtur ?Arstë? dhe ?Porav?. Në Shkodër, borëpastrueset po mbajnë hapur rrugët nacionale në territorin e Qarkut të Shkodrës.
Një borëpastruese po punon gjatë gjithë kohës në aksin Shkodër-Hani i Hotit, reshjet e dëborës janë intensive. Ndërsa vështirësitë më të mëdha janë në rrugët rurale dhe lidhja e tyre me rrugët kryesore. Rrugët lidhëse janë thuajse të pakalueshme. Banorët detyrohen të ecin në këmbë.
Reshjet e dëborës në gjithë qarkun e Shkodrës kanë vijuar të bien pa ndërprerje për 24 orë duke krijuar probleme të mëdha në shumë zona.