Këto janë pamjet që vijnë nga Rruga e Kombit pasditen e kësaj të mërkure. Mjetet e rënda siç shihet nuk lejohen të lëvizin si pasojë reshjeve të dendura të dëborës.
Rikthimi i dëborës ktheu vështirësitë në disa rajone të vendit. Prefekti i Gjirokastrës kërkoi shpalljen e emergjencës pasi fshatrat Zagorie, Frashër, Kurvelesh e Golem janë të bllokuara.
Në qytet trashësia e dëborës ka arritur në 30 centimetra, ndërsa qarkullimi në aksin Tepelene-Gjirokastër është bllokuar dhe asnjë mjet nuk mund të lëvizë.
Drejtoria arsimore e këtij qarku pezulloi pa afat mësimin.
Edhe në Dibër, reshjet e dëborës bien me intensitet të lartë dhe pa ndërprerje që prej të henës. Bllokime ka vetëm në zonën e Sllovës, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë është e kalueshme me zinxhirë.
Disa shkolla në zona të thella e kanë pezulluar procesin mësimor, për ta vazhduar pas përmirësimit të situatës.
Në Librazhd dhe Përrenjas vëmendja është përqendruar në aksin Elbasan-Qafëthanë, ku automjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë. Nga 40 shkolla, mësimi vazhdon në 15 prej tyre.
Në Korçë akset kryesore janë të hapura dhe kalohen me zinxhirë. Procesi mësimor është bërë me orë të shkurtuara edhe në Pogradec.
Moti i keq krijoi probleme edhe ne qarkun e Lezhës. Në Mirditë mësimi u pezullua në shkollat e zonave malore. Ulja e temperaturave solli edhe ngrica në rrugë. Nuk munguan edhe aksidentet.
Ministria e Mbrojtjes thotë se situata do të jetë e tillë edhe në orët në vijim. Ministrja Olta Xhaçka paralajmëroi kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve që nuk përmbushin detyrën.
Situata po monitorohet pa ndërprerje si nga ARRSH për gjendjen e rrugëve ashtu dhe nga OSHEE për problemet me energjinë elektrike.
Tv Klan