Për një numër të madh të shqiptarëve që erdhën në atdhe për të kaluar ndërrimin e viteve pranë familjes, pushimet kanë mbaruar. Shumë prej tyre i janë drejtuar pikës kufitare të Kakavijës dhe asaj të Kapshticës.
Radha e automjeteve në Kakavijë ka shkuar 3 km, pasi burime nga pika kufitare bëjnë me dije se dogana greke po punon momentalisht vetëm me dy sportele, ndërkohë që ajo shqiptare po punon me 5 sportele. Por kjo nuk është hera e parë që pala greke punon me dy sportele. Shpesh herë ajo është prononcuar se nuk i punon sistemi elektronik, duke i lënë kështu qytetarët që të presin me orë të tëra.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në Kapshticë. Në këtë pikë kufitare, me 4 sportele në punë nga ana e doganës greke dhe me 6 sportele nga dogana e vendit, kanë hyrë 1703 persona shqiptarë e të huaj dhe kanë dalë jashtë 3837.