Sandër Lleshaj firmos 2 ndryshimet e para në kupolën e Policisë së Shtetit

2019-01-04 0

Nisin ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se Sandër Lleshaj ka firmosur largimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Kriminale Eduart Merakaj. Në krye të policisë kriminale është emëruar ish-drejtori i Policisë Tiranë e Durrës, Tonin Vocaj, i cili aktualisht mbante detyrën e specialistit.

Tonin Vocaj është një emër i njohur në polici, pasi në shkurt të 2013-së u publikuan foto të tij me Arben Frrokun, personin që vrau kryekomisarin Dritan Lamaj. Në atë foto Tonin Vocaj bashkë me Agron Kuliçin ishin duke drekuar me Arben Frrokun dhe pas vrasjes së Dritan Lamajt, ishin pikërisht Vocaj dhe Kuliçi që po hetonin këtë ngjarje.

Publikimi i fotove bëri që Tonin Vocaj të jepte dorëheqjen nga grupi i hetimit për atë vrasje. Në 2013 ai u largua nga posti i drejtorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme duke u emëruar në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP, ndërkohë që sot është emëruar Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale.

Tonin Vocaj ka mbajtur një sërë detyrash në Polici dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duket se ka vendosur ti besojë përsëri një post të rëndësishëm. Ndërkohë i larguari Eduart Merkaj është emëruar Drejtor i Kufirit dhe Emigracionit. Merkaj zëvendëson në këtë detyrë Aida Hajnajn, e cila mbante këtë pozicion dhe njëkohësisht dhe zv/drejtoreshë e përgjithshme e Policisë.

Këto janë dy lëvizjet e para në Policinë e Shtetit dhe në javët në vijim priten të tjera ndryshime. Burime të Report Tv nga Policia e Shtetit thanë se pritet të shkarkohen disa drejtorë rajonal si dhe drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.