Report TV - Lleshaj emëron Tonin Vocaj në kupolën e Policisë, merr postin e drejtorit e kriminales

2019-01-04 11

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka firmosur dy ndryshimet e para në kupolën e Policisë së Shtetit pas marrjes së detyrës. Tonin Vocaj është emëruar Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në vendin e Eduart Merkajt. Vocaj rikthehet në një post drejtues pas largimit në 2013.

Më 9 tetor të vitit 2013 Tonin Vocaj asokohe me urdhër të ministrit të Brendshëm Tahiri u lirua nga drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj nga pozicioni i drejtorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme duke u emëruar specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP, ndërsa sot është rikthyer Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale.

Ndërkohë që Merkaj nga Policia Kriminale është emëruar në vendin e Aida Hajnajt si Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit. Hajnaj deri tani mbante edhe postin e drejtorit të kufirit edhe atë të zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit të ministrisë së Brendshme, urdhrat e Sandër Lleshaj janë komunikuar nga zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë një takimi paraditen e sotme me drejtuesit qendrorë të Policisë së Shtetit.