Report TV - Arrestohen 4 persona dhe dy policë në Kukës, ndihmuan serbin të arratisej

2019-01-02 4

KUKËS- Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e policisë pasi ndihmuan serbin Sebastian Villjamov që të largohej nga vendi, teksa ishte në masën e sigurisë arrest shtëpie. Policia nuk i ka publikuar emrat e të arrestuarve por ka publikuar vetëm inicialet e tyre.Bëhet fjalë për: K.M., 38 vjeç, banues në Pobreg, Kukës; J.D., 23 vjeç, banues në Rjekë, Kroaci; R.K., 46 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë; F.T., 26 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë; K.S., 53 vjeç, banues në Bushtricë, Kukës dhe Xh.N., 43 vjeç, banues në Kukës, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës. Arrestimi i KM., J.D., R.K. dhe F.T. u bë pasi në datë 1 janar 2019, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë ndihmuar për t'u larguar nga Kukësi Sebastian Villjamov 53 vjeç, banues në Mirocka, Serbi.

Ai ishte me masë sigurie ?arrest shtëpie? dhe ruhej nga punonjës policie në një ambient privat (hotel) në Kukës (lexo këtu) Dy efektivët e policisë u arrestuan pasi gjatë kohës që ishin me detyrë për ruajtjen e Villjamovit, lejuan takimin e tij me të afërm pa autorizim përkatës, gjë që solli largimin e tij nga territori shqiptar. Pas arrestimit të gjashtë personave, policia ka nisur punën për kapjen e tij. Sebastian Villjamov u ndalua në 9 nëntor 2018, teksa së bashku me familjen e tij ishte duke hyrë në territorin shqiptar, nga pika e kalimit kufitar Morinë. Gjatë kryerjes së procedurave në kufi ka rezultuar se Sebastian Villjamov, ishte person në kërkim nga autoritet e drejtësisë së Zagrebit në Kroaci, pasi ishte dënuar me 6 vite burg.