Ora News - Lleshaj: Pas 1 janarit, një pikë loje fati do trajtohet si parcelë kanabisi

2018-12-30 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
#oranews
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një takimi me drejtues policie, tha se duke filluar nga data 1 janar, policia do të angazhohet fuqimisht për zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit. Ai tha se pas kësaj date, një lokal bastesh do të trajtohet si një parcelë kanabisi.

Lleshaj: "Siç jeni në dijeni ligji 155/2015, i ndryshuar me atë 75/2018 parashikojnë ndërprerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, duke filluar nga data 1 janar 2019. Dhe 1 janari fillon në orën 00.00, pra jo kur gdhihet por që në 00.00 të datës 1 janar 2019, në territorin e vendit ndalohen disa veprimtari të lojërave të fatit si: bastet sportive, baste për gara në pistë, lojërat elektronike në distancë. Po ashtu ndalohen reklamat audio vizive për bastet sportive, publiciteti në median e shkruar, në shtypin sportiv, në faqet elektronike të tyre etj..

Me rëndësi të madhe është të kuptohet fakti që Policia e Shtetit, në rastin e këtij ligji është strukturë e ngarkuar drejtpërdrejt me zbatimin e tij. Unë jam informuar nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit lidhur me masat që janë marrë ndërkohë nga Policia e Shtetit për krijimin e hartave të detajuara të vendndodhjes dhe për të dhënat e mbledhura nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me veprimtarinë e këtyre subjekte që zhvillojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu jam i informuar mirë për masat e mira që janë marrë nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me njoftimin, kontaktimin e pronarëve dhe me masat paraprake për ndërprerjen e veprimtarisë, ashtu sikurse jam edhe i informuar për faktin se shumë pronarë të lokaleve apo të subjekteve të kësaj fushe kanë marrë masa ndërkohë për ndërprerjen e aktivitetit, për mbylljen, apo për zbatimin e të gjithë detyrimeve të tjera ligjore.

Por nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet veprimtari e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ndalimi i saj bëhet, siç thashë më parë, detyrim i rëndësishëm për Policinë e Shtetit.

Nga data 1 janar 2019, çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo edhe të kamufluar veprimtari e lojërave të fatit dhe basteve sportive duhet të konsiderohet si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë e gjithë qasja e Policisë së Shtetit ndaj këtyre aktiviteteve, nëse ka mbetur ende ndonjë në funksion".

Sandër Lleshi kërkoi angazhimin e shtuar të Policisë së Shtetit për menaxhimin e ditëve festive si në pikat kufitare ashtu edhe në kontrollin për përdorimin e mjeteve piroteknike. Gjatë këtij takimi, numri 1 i Ministrisë së Brendshme nuk komentoi ngjarjen e së shtunës në Elbasan, ku mbeten të vrarë 3 persona, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar nga Policia e Shtetit.
Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/article/lleshaj-pas-1-janarit-nje-pike-loje-fati-do-trajtohet-si-parcele-kanabisi