Pas furtunës në qeveri, Rama mbledh Kryesinë e PS për organizimin brenda partisë

2018-12-29 0

Një ditë pas lëvizjeve të mëdha në qeveri, kryeministri Edi Rama prej orës 09:00 ka mbledhur Kryesinë e partisë. Sipas burimeve të Report Tv në mbledhje po diskutohet për organizimin e partisë në prag të zgjedhjeve lokale të qershorit. Ndërkohë që dje gjatë mbledhjes së asamblesë kreu i qeverisë njoftoi 9 ndryshime në qeveri, 7 prej të cilave në nivel ministrash.

Kryeministri Edi Rama shkarkoi në Asamblenë Kombëtare të PS ministrat që kanë mbi 5 vite në qeveri si Lindita Nikolla, Arben Ahmetaj, Ditmir Bushati, Mirela Kumbaro, Damian Gjiknuri, Niko Peleshi dhe Sonila Qato. Gjithashtu, ndryshimet kanë prekur edhe postin e zv/kryeministrit, ku u largua Senida Mesi dhe në vend të saj u emërua Erion Braçe.

Ndërkohë që është rikthyer Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin, ku u emërua Elisa Spiropali. Nga furtuna kanë shpëtuar, Sandër Lleshaj, Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu. Për dy të fundit, Rama la një afat 6 mujor për bërjen e detyrave, në të kundërt, tha ai, do shkarkohen