Pavarësisht financimeve që jepen për sektorin e bujqësisë në Shqipëri, të huajt kërkojnë reforma. Këtë herë ishte zv/ambasadori gjerman që gjatë një takimi me ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi, kërkoi zgjidhjen sa më parë të çështjeve të pronësisë, çështje të cilat kanë dy dekada dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje.
"Problem është çështja e pronësisë së tokës, çështje me të cilën Shqipëria merret prej shumë vitesh. Ne e konsiderojmë të domosdoshme reformën në këtë fushë dhe zgjidhjen e saj sipas të drejtës europiane. Ky është një kriter kyç për Shqipërinë edhe në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian".
Por ministri Niko Peleshi tha se të gjitha problemet me regjistrimin e tokës bujqësore do të marrin fund me ligjin e ri që parlamenti miratoi në seancën e fundit.
Ambasada gjermane financoi përmes një marrëveshje të firmosur me Ministrinë e Bujqësisë 10 milionë Euro përmes një projekti të GIZ, i cili do të ndihmojë në gjenerimin e të ardhurave nga turizmi për 100 fshatrat që ka përzgjedhur qeveria si prioritare në këtë fushë. Por një nga problemet kryesore që kanë fondet që japin të huajt në Shqipëri, përfshirë dhe ato IPARD, është pronësia e tokës buqjësore, pasi që të përfitosh nga granti duhet që toka të jetë e regjistruar në Hipotekë.