TIRANË- Një ditë pas Krishtlindjeve, përgjaket kryeqytetit. Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Tiranë në zonën e Laprakës në orën 18:17 të pasdites. Një vajzë 17-vjeçare e identifikuar si Griselda Gjinkola, është qëlluar me plumb në kokë dhe ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i dashuri i saj, 23-vjecari Erion Benga është plagosur me plumb në shpatull dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Report Tv ka mësuar se dy të rinjtë ndodheshin në makinë në momentin kur janë qëlluar nga një person i maskuar, i cili është identifikuar nga Policia. Adoleshentja është transportuar në spital nga vetë Erion Benga, i cili pasi është plagosur ka dërguar të renë te Spitali i Traumës. Makina ku ndodheshin të rinjtë është sekuestruar tashmë nga Policia. Dy të rinjtë janë lidhur me njëri-tjetrin një javë më parë. Dyshohet se objektivi ka qenë Benga dhe se Gjinkolaj është qëlluar aksidentalisht. Një nga pistat ku po hetohet është ajo e vrasjes për motive të dobëta, pasi adoleshentja ka qenë më parë e lidhur me një tjetër person, si dhe pista e hakmarrjes për shkak të konflikteve që ka patur më parë Benga. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes u shprehën se dëgjuan vetëm ?Ikim me vrap? që besohet se ka qenë thirrje nga autori, por dëshmitarët nuk arritën të fiksonin asnjë fytyrë. Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në zone. Kamerat kanë filmuar momentin kur makina largohet pasi është qëlluar nga atentatori.