'Arratisja' e shqiptarëve për festa; vendet malore e me borë, destinacionet më të preferuara

2018-12-26 3

Festat e fundvitit prej vitesh janë kthyer në një periudhë udhëtimi për shqiptarët. Teksa vite më parë festohej në mënyrë tradicionale në shtëpi apo në restorante, sot janë të shumtë ata që zgjedhin që për festat e fundvitit të udhëtojnë në destinacione turistike.

Rajoni mbetet destinacioni i preferuar. Vendet me borë kanë qenë më të kërkuarat në agjencitë turistike, ndërsa prenotimet më të shumta kanë qenë për në Malin e Zi, Kosovë dhe Greqi. Por jo pak të kërkuara kanë qenë dhe vendet e largëta.

Aurora Malko, koordinatore e një agjencie turstike, tregon për Report TV dhe disa nga destinacionet e preferuara të shqiptarëve.

Shqiptarët për fundvit kanë zgjedhur vendet me borë, si Mavrovë dhe Kolashinin, kanë zgjedhur gjithashtu Stambollin për festën e Vitit të Ri, dhe gjithashtu Paris, Bruksel, Amsterdam dhe si vjet, edhe këtë vit kemi pasur paketa individuale dhe në grup për në Dubai.

Aurora Malko, Koordinatore e një Agjencie Turistike
Në krahasim me vitin e kaluar numri i shqiptarëve që kanë preferuar të udhëtojnë jashtë është rritur, ndërsa sa i përket cmimeve të paketave turitike, administratori i një agjencie turistike, Saimir Tresa shprehet se nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar.

Ka qenë një numër më i madh këtë vit që ka preferuar të dalë jashtë për pushimet e tyre, por ndërkohë kemi patur edhe një trend në rritje të turistëve të huaj që dëshirojnë të kalojnë pushimet e tyre këtu në Shqipëri. Nuk ka pasur ndonjë rritje të madhe të cmimeve, jemi në të njëjtin nivel, le të themi.

Saimir Tresa, Administrator i një Agjencie Turistike
Por ka dhe shumë qytetarë që kanë preferuar të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri. Madje dhe mjaft emigrantë janë kthyer në vend për të kaluar pushimet me të afërmit e tyre.

''Në shtëpi do t'i bëjmë. Unë jam me dokumenta italiane dhe domethënë i bëj këtu", u shpreh një qytetar. "Ne sa erdhëm nga Italia dhe le të themi që i planifikojmë më mirë këtu festat, në vendin tonë", u shpreh një tjetër. "Në shtëpi. Kemi ardhur nga Greqia me gruan e djalin, kam nipër e mbesa...", tha një i tretë.

Ndërkohë, përvec udhëtimeve në rajon dhe Europë, destinacion i preferuar për shqiptarët mbeten edhe zonat veriore dhe juglindore të Shqipërisë.