Basha ndërtoi 4 dhoma shtesë pa leje në katin e 12-të/ Pamjet me dron

2018-12-26 1

Këto janë pamjet e shtesës pa leje në katin e 12 të banesës së kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, që ditët e fundit është bërë objekt i përplasjeve dhe akuzave politike.

Siç dallohet edhe në këto pamje, në banesën e tij pranë Parkut të Liqenit, pas ish-Stadiumit Qemal Stafa, kreu i PD-së ka bërë shtesë plot 4 dhoma. Të ndara në katër kendet e katit të fundit të ku banon, Basha ka ndërtuar 4 dhoma pa leje. Në njërin krah ka ndërtuar shtesë dykatëshe me dy dhoma dhe në krahet e tjerë ka ndërtuar dy dhoma njëkatëshe.

Në hapësirën e përbashkët, që i përket sa kryedemokratit Basha aq edhe banorëve të tjerë, është ndërtuar me konstruksion hekuri, fasadat janë bërë me xham të zi duke krijuar pamje për banesën drejt kodrave të Liqenit, por duke u privuar banorëve të tjerë një hapsirë që u takon, e për të cilën kanë paguar kur kanë blerë apartamentin, në pallatin që sot identifikohet si pallati i Bashës. Kryedemokrati ka shkuar edhe më tej, duke personalizuar një prej ashensorëve të këtij pallati, i cili përdoret vetëm për familjarët e tij ndërsa fqinjët e kanë të ndaluar.

Siç duket edhe në këtë leje ndërtimi, që Lulzim Basha i ka dhënë vetes dhe bashkëshortes Aurela Isufi në datë 25. 08. 2014, kohë kur ishte në krye të Bashkisë, specifikohet se ndërtimi shtesë është një kat dhe sipërfaqëja e ndërtimi është 98 metër 2. Për të kryer këto punime, në bazë të lejes, Basha ka kontaktuar firmën ?Archimed International sh.p.k?, me administrator Adrian Asllani, i cili shpesh herë është përfolur për lidhjet me kryedemokratin dhe kunatin e tij.