LAÇ - Një zjarr masiv ka përfshirë tregun industrial të qytetit të Laçit rreth orës 6:00. Shkaku ka qenë zjarri në një lokal afër tregut të qytetit i cili më pas ka përfshirë edhe tregun industrial duke e përpirë nga flakët në pak minuta. Tre zjarrfikëseve u janë dashur rreth dy orë e 30 minuta për neutralizimin e flakëve. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe forca të shumta policie si dhe një grup hetimor për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Nga zjarri masiv nuk persona të lënduar por vetëm dëme materiale. I gjithë malli që ndodhej brenda tregut është djegur plotësisht. Në këtë treg mësohet se zhvillonin aktivitetin rreth 100 tregtarë, të cilët tashmë nuk kanë asgjë dhe do të kalojnë një fundvit të varfër në shtëpitë e tyre. Zjarri në tregun industrial ka ardhur vetëm një ditë para Krishtlindjes dhe në vigjilje të ndërrimit të viteve kur është edhe periudha e shumëpritur për tregtarët.
Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi tregtarët shprehen për Report Tv se janë kërcënuar pak ditë më parë nga një person që pretendon pronësinë e truallit ku ndodhet tregu se do t'i digjte. Pavarësisht kallëzimit në polici, uniformat blu nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij (Lexo këtu). Flakët e zjarrit rrezikuan një biznes privat ngjitur me tregun, ku ndodheshin edhe disa bombula gazi, por ndërhyrja në kohë e punonjësve të zjarrëfikseve shmangu përfshirjen e godinës nga flakët.