'Nesër denoncojmë aferën'/ Basha në protestë me banorët e 'Unazës së Re'

2018-12-18 3

TIRANE - Banorët e "Unazës së Re" kanë protestuar edhe sot në ditën e 45-të. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe kryetari i PD, Lulzim Basha si dhe deputetë të PD dhe LSI, mes të cilëve Klevis Balliu e Indrit Braimllari. Siç do pasdite, edhe sot banorët kanë bllokuar rrugën në të dyja anët, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve.

Në një prononcim përpara mediave, Basha tha se PD do denoncojë nesër një tjetër aferë korruptive siç e quajti ai te Unaza e Re. Duke dhënë detaje për atë që pritet të publikojë opozita, Basha tha se Rama dhe Veliaj devijuan planin urbanistik për zonën e "Astirit" me qëllim që mbi rrënojat e shtëpive të banorëve, të ndërtohen pallate shumëkatëshe nga njerëz të inkriminuar. Kreu i PD përmendi edhe emrat e atyre që sipas tij do ndërtojnë pallate aty, një prej të cilëve, sipas tij është Edmond Bego, që siç tha Basha, është mik me Taulant Ballën, kryetar i grupit parlamentar socialist.

Kjo që them sot nuk është thjeshtë një gisht akuze ndaj Edi Ramës. Çdokush e kupton dhe e di se i vetmi njeri që vë në lëvizje ministrinë e Infrastrukturës, ARRSh-në, Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Financave, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, dhe në të njëjtën kohë tia lidhë duart dhe këmbët e ti mbyllë gojën, sytë dhe veshët Arta Markut, cili është i vetmi personqë ka këtë fuqi në Shqipëri? Këtë qytetarët e kanë kuptuar fare mirë.

Nësër partia Demokratike do të publikojë një pjesë tjetër po kaq të errët të kësaj afere korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë dhe vazhdon të përpiqet të vjedhë këtu mbi 40 milionë euro nga Buxheti i Shtetit por së bashku me figurat e krimit të organizuar, mbi rrënojat e shtëpive që do të prishë do të ndërtojë pallate shumëkatëshe. Nësër para qytetarëve do të shpaloset me dokumente zyrtare se si Edi Rama dhe Erion Veliaj ndryshuan Planin urbanistik për ti dhënë leje një krimineli të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge, një personi i cili njihet si mik, si bashkëpunëtor i kupolës socialiste Edmond Bego.

Për t'ju freskuar kujtesën qytetarëve, Edmond Bego është njeriu i cili në kundërshtim me ligjin ndonëse i dënuar nga drejtësia italiane dhe vuajti një pjesë të dënimit këtu në Shqipëri, mori mbi 14 milionë euro tendera në rrugën e Elbasanit, në zonën elektorale të Taulant ballës me të cilin ka udhëtuar plot 57 herë jashtë shtetit në katër vitet e fundit.

Nuk është pra, rastësi por është provë e përfshirjes së drejtëpërdrejtë e Edi Ramës dhe kupolës së tij, është pjesë e përgjegjësisë kriminale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt që shtëpitë e këtyre shqiptarëve këtu, e këtyre banorëve, e këtyre vogëlushëve, do prisheshin që të ndërtonte pallate shumëkatëshe një person i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe për të pastruar paratë e drogës, dhe për të ndarë kaparin me Edi Ramën, me Erion Veliajn, me Taulant Ballën, dhe me kupolën socialiste.

Lulzim Basha, kryetar i PD