Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi thotë se protesta e studentëve u sfumua nga militantët e partive opozitare. I ftuar në emisionin "45 minuta" të gazetarit Denis Minga në Report Tv, Klosi tha se protesta nuk ka më atë gjallërinë dhe entuziazmin e fillimisht, ndërsa shtoi se kur kanë kaluar 13 ditë, aty gjen më shumë militantë partie sesa studentë. Klosi shtoi gjithashtu se politika po tenton të nxjerrë përfitime për qëllime të veta ng kjo protestë.
Vetë kryeministri e ka mbështetur protestën. Sot ka rënë entuziazmi, zgjuarsia, bukuria e protestës dhe inteligjenca që pasqyronin në protestën e tyre. Sot kemi një protestë të mbushur me militantë.
Blendi Klosi ministër i Mjedisit
Dialogu i Ramës me pedagogët dhe studentët, tha Klosi, do vijojë me të gjitha universitetet në vend.
Duke e krahasuar me protestën e dhjetorit '90, Klosi tha se studentët atëherë krijuan një lidership që i udhëhoqi ata. Protesta e këtyre 13 ditëve, tha Klosi, duhet t'i shërbejë interesave të studentëve për të sjellë diçka pozitive dhe jo të shfrytëzohet për përfitime politike.
"Ajo ishte një protestë që mori lidershipin e saj që në fillim. Do ta mbështesja atë lidership. Protesta e dhjetorit 90 solli demokracinë, një gjë fantastike. Ngjarjet që rrodhën i shërbyen Shqipërisë në atë kohë. Edhe ngjarjet e sotme duhet t'i shërbejnë Shqipërisë, por për çfarë? Për t'i dhënë zgjidhje problemeve të studentëve? Apo për përfitime politike?", shtoi ministri i Mjedisit dhe Turizmit.