Raporti i KiE: Korrupsioni ndihmon në pastrimin e parave

2018-12-17 0

MoneyVal, Komiteti i Ekspertëve të Këshillit të Europës, që vlerëson masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në raportin e këtij viti për vendin tonë, nënvizon rreziqet që i kanosen sa i takon pastrimit të parave nga korrupsioni. Ky i fundit, shpesh i lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Vetë kreu i këtij Komiteti, gjatë prezantimit të raportit në krah të Kryeministrit dhe drejtuesve të agjencive ligjzbatuese, i kërkon qeverisë që të zbatojë masat për rrisqet që vetë i ka evidentuar.

"Autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por deri më tani zbatimit të ligjit i është kushtuar vëmendje të kufizuar për të synuar pastrimin e parave lidhur me këtë fenomen. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është shumë e rëndësishme për të adresuar më mirë rreziqet e korrupsionit të përhapura në vend".

Por në raport vlerësohet puna e sistemit bankar për të parandaluar pastrimin e parave. Në raport thuhet se Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlerat e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket se janë në përpjesëtim me nivelin e kriminalitetit në vend. Kryeministri Rama nga ana tjetër nënvizon rritjen e numrit dhe vlerës së aseteve kriminale të bllokuara në 5 vitet e qeverisjes së tij.

Po ashtu, duke u krahasuar me paraardhësit, Rama vlerëson arritjet aktuale në luftën kundër krimit të organizuar, çka është reflektuar dhe në raportet e vit pas viti të MoneyVal.

Tv Klan

Free Traffic Exchange