Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, mbrëmjen e së premtes nuk munguan kritikat ndaj lidershipit të kësaj force. Mbledhja zyrtarizoi kandidatët që do të garojnë për Këshillin e ri Kombëtar të Partisë Demokratike në votimin e së shtunës nga Kuvendi Kombëtar. Por kjo është kritikuar në mbledhje nga ish-deputeti Arben Imami. Në një prononcim për Tv Klan ai tha se thirrja e Kuvendit Zgjedhor vjen në shkelje të statutit dhe kryesia e partisë u vu përballë një fakti të kryer.
Pjesë e listës janë të gjithë ish-deputetët e PD-së dhe anëtarët e Këshillit aktual. Jashtë saj kanë mbetur kundërshtarët më të fortë të Lulzim Bashës, si Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Ridvan Bode dhe Genc Ruli.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë, Basha ka thënë se në listë mungojnë vetëm ata ish-deputetë që kanë deklaruar se nuk janë më pjesë e Partisë Demokratike.
Në listën e gjatë me 350 kandidatë bie në sy rikthimi i ish-deputetëve, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj. Me zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar, ky forum do t'i hapë rrugë edhe Kryesisë së re, dy nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretariateve.
Tv Klan