DURRËS- Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur rreth 7.5 milionë lekë të reja nga një makinë e cila po transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se grabitja ka ndodhur rreth orës 16:45 në zonën e Shkozetit, 100 m para mbikalimit të Unazës së plazhit. Autorët kanë shfrytëzuar kohën e keqe me shi në një moment kur nuk ka pasur qarkullim rrugor të dendur dhe i kanë ngritur pritë makinës për t'i grabitur paratë.
Mësohet se makina ishte e blinduar dhe pronë e një firme private sigurimi. Ndërkohë policia ka rënë në gjurmë të grabitësve dhe po punon për kapjen e tyre.