Vettingu në politikë, Komisioni i Venecias miraton opinionin përfundimtar, 'rrëzon' PD dhe LSI

2018-12-14 0

Komisioni i Venecias ka miratuar opinionin përfundimtar sa i takon një interpretimi që kërkoi Kuvendi i Shqipërisë nëse propozimi i opozitës për Vettingun në politikë ishte apo jo në përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me parimet kushtetuese. Sot Venecia ka konfirmuar atë që ka raportuar më herët edhe "Shqiptarja.com" se varianti i propozuar nga PD dhe LSI ka probleme të konsiderueshme sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut si dhe ky draft është problematik pasi mund të përdoret në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme politike dhe mbi të gjitha nuk është e qartë se kush është autoriteti që do të bëjë kontrollin e politikanëve.

Duke pranuar synimin e përligjur për të larguar ata që bien ndesh me ligjin dhe ndikimin e tyre nga qeverisja dhe jeta politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin se mungesa e qartësisë ligjore dhe sigurisë lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit mund të çojë në implikime të rënda për të drejtat e atyre që janë subjekt i saj. Nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar dhe nuk ka garanci për të siguruar se procesi mund të mos përdoret në mënyrë të njëanshme politike ose arbitrare. Projektligji nuk arrin gjithashtu të përcaktojë disa elementë kryesorë, si: çfarë nënkuptohet me kontakt me persona të caktuar; çfarë nënkuptohet me të qenurit i përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet me të qenurit i përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat.

Komisioni i Venecias