Prej orës 10:00 të mëngjesit studentët protestuan për plotësimin e 8 kërkesave të adresuara ndaj Kryeministrit Edi Rama. Krahas të rinjve nga Tirana, protestuesve në ditën e shtatë të tubimit, iu bashkuan edhe studentë të universiteteve të tjera.
Marshimin e nisën nga fakultetet, për të mbërritur aty ku prej 7 ditësh vijojnë rezistencën, Ministria e Arsimit. Ora 16:00 e së martës ishte edhe skadimi i ultimatumit që i kishin vënë Kryeministrit, me të cilin refuzojnë të dialogojnë, ku i kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Mungesa e një përgjigjeje nga Kryeministri çoi edhe në përshkallëzimin e protestës, por edhe në një ndarje të tyre. Të ndarë në tre grupe, një pjesë e studentëve vijoi protestën përpara Ministrisë së Arsimit. Një pjesë prej tyre marshuan drejt Zogut të Zi, ku deri në orën 22:00 të mbrëmjes bllokuan rrugën, ç?ka shkaktoi kaos në trafik.
Grupimi i tretë i studentëve u vendos përpara Kryeministrisë. Teksa studentët protestonin në bulevard, Kryeministri Rama u pa të lërë zyrën e tij. Pavarësisht thirrjeve të Kryeministrit për të dialoguar, studentët kanë refuzuar çdo negociatë me të.