Studentët qëndrojnë të palëkundur përballë qeverisë, duke kërkuar vetëm zbatimin e kërkesave të tyre dhe refuzojnë kategorikisht asnjë negociatë apo dialog. Për mikrofonin e Tv Klan, ata thonë se protesta e tyre do të përshkallëzohet nëse nuk marrin përgjigje pozitive për kërkesat.
Studenti 1: "Nuk kemi pranuar asnjë negociatë. Dhe i kemi qëndruar bindshëm këtij fakti që nuk pranojmë negociata për faktin e vetëm se të teta pikat janë bazike për një student dhe për fakultetet, dhe nuk ka vend as për dialog dhe as për negociata. Në rast se në orën 16:00 nuk na kthehet një përgjigje me shkrim, mendohet dhe diskutohet që të shkojmë ndoshta edhe në grevë urie, por ende nuk është vendosur".
Studenti 2: "E vetmja gjë që kërkojmë është të drejtat tona të realizohen".
Studenti 3: "Për dialogun kërkohet një dhënës, një marrës dhe një kanal komunikimi. Dhënësi jemi ne, marrësi është Kryeministri, kanali i komunikimit është media. Ja ku e ka dialogun, çfarë dialogu do më? Pas orës 16:00 studentët janë organizuar që do të ketë një përshkallëzim të situatës. Ka disa alternativa që ne po i dëgjojmë. Duam që Kryeministri ta mendojë vërtetë që neve jemi fuqi. Që në këtë Shqipëri nuk ka vetëm Edi Rama, Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Në këtë Shqipëri ka dhe popull, është edhe populli që do dëgjuar".
Studenti 4: "Përsa i përket prezencës, mendojmë se po. Është shumë e madhe, na janë bashkangjitur dhe gjimnazistët. Ato janë shumë të qarta dhe duhet të ishin bërë gjatë këtyre tre dekadave demokraci dhe nuk ka pse të negociojmë ne për diçka që duhet bërë".
Studenti 5: "Gjithë studentët janë në një mendje për të mos pasur dialog sepse kërkesat janë shumë të qarta dhe është shumë e thjeshtë, të zbatohen ato. Ne vetëm kaq kërkojmë. Nuk ka dialog, nuk ka as negociata".