Thellohet skandali me kompanine “DH Albania”

2018-12-10 5

Thellohet edhe me tej skandali me kompaninë  ?DH Albania? e cila akuzohet se me dokumente të falsifikuara ka fituar tenderin prej 18 milionë eurosh me Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së madhe të Tiranës.

Brenda të njëjtës javë kjo kompani fantazmë e drejtuar nga 26-vjeçari ish-recepsionist Avdjol Dobi ka fituar edhe 12 milionë euro të tjera në një tjetër tender të prokuruar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Në buletinin e agjencisë së prokurimit publik të datës 5 Nëntor gjendet dokumenti zyrtar ku shihet se Operatori i Sistemit të Transmetimit i ka besuar kompanisë shqiptare, mëma e së cilës është regjistruar offshore në Delaware, ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit.

Kontrata është firmosur mes palëve në 31 Tetor të këtij viti, dhe Dunwell Haberman Albania e ka fituar atë me gati 100% të vlerës limit.

Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, fondi limit për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi ishte përcaktuar 1 miliardë e 447 milionë lekë dhe po me këtë vlere është fituar nga ?DH Albania?.

Ky është një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga Operatori i Sistemit te Transmetimit gjatë këtij viti. Por edhe ky tender, ashtu si ai për lotin e parë të Unazës së Madhe, pritet të jetë objekt hetimi.

Kjo për shkak se ashtu si në tenderin për ndërtimin e mbikalimit në sheshin Shqiponja, edhe për këtë tender kompania ka qenë e detyruar të paraqesë bilancet e tre viteve të fundit.

Dhe janë pikërisht bilancet që dyshohet se ajo ka falsifikuar, pasi ?DH Albania? rezulton e regjistruar vetëm në 28 Qershor të këtij viti dhe jo në vitin 1998, siç thuhet në një dokument të sajin, që ka dyshime po ashtu të jetë fals.

Pas publikimit të këtij lajmi Operatori i Sistemit të Transmetimit reagoi duke thënë se kjo kontratë u pezullua në mënyrë të njëanshme menjëherë sapo u publikua skandali i tenderit të Unazës së Madhe.

Ky fakt shton dyshimet se mbi rregullsitë në dokumentacionin e ?DH Albania?, e cila ka arritur të marrë  vetëm brenda 4 muajsh, nëpërmjet falsifikimit të bilancit dhe dokumentit të themelimit 2 tendera të mëdhenj për një vlerë totale plot 30 milionë eurosh.

Tv Klan