Protesta e studentëve e cila ka nisur në ditën e saj të shtatë, po vazhdon sot edhe në qytetin e Korçës ku studentët janë solidarizuar së bashku në thirrjet e tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit për të plotësuar kërkesat e ngritura për përgjysmimin e tarifave studentore dhe plotësimin e kushteve të konvikteve dhe cilisisë së mësimdhënies në universitete.
Një nga përfaqësuesit e studentëve të Universitetit të Korçës, Henri Tare, ka folur nga qyteti i Korçës për Report tv duke thënë se politika duhet të qëndrojë larg kauzës së tyre pasi ajo është një kauzë e drejtë, prandaj duhet ta fitojnë të gjithë së bashku. Sipas tij, ka patur disa presione, por kjo nuk do i pengojë ata në arritjen e synimeve të tyre, pasi protesta e tyre do të vazhdojë deri në fund dhe nuk pranojnë asnjë lloj dialogu apo negociate deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre .