Rritet interesimi i familjeve shqiptare për të birësuar fëmijë të braktisur. Vetëm në 2 vitet e fundit janë birësuar 84 fëmijë, shumica brenda vendit dhe vetëm një pjesë e vogël ka shkuar në familje të huaja. Shifrat i jep në një intervistë për Televizionin Klan, Drejtoresha e Komitetit të Birësimit, Ermira Naçi.
"Ka një numër shumë të madh kërkesash nga familjet shqiptare, edhe numri i kërkesave nga shtetet e huaja është shumë i madh. Janë 43 familje shqiptare në pritje".
Sipas të dhënave nga Komiteti i Birësimeve, ndryshe nga çiftet e huaja, ato shqiptare janë të interesuara për fëmijë të moshës 9 muajsh deri 3 vjeç për birësim.
"Numri i birësimeve jashtë vendit është i limituar në krahasim me ata brenda vendit, fëmijët që nuk birësohen nga familjet shqiptare me probleme specifike apo moshë madhore, birësohen nga familjet e huaja. Familjet shqiptare janë të interesuar për fëmijë të moshave të vogla, 0-3 vjeç, por maksimumi i limiti i familjes shqiptare që kanë zgjedhur për birësim është deri në 5-6 vjeç".
Naçi thotë se janë 111 fëmijë të braktisur që jetojnë në 6 shtëpitë e fëmijës në vendin. Në bazë të ligjit, një fëmijë i cili rezulton i braktisur nga familja për 3 muaj futet në listën e proceduarave për birësim. Sipas të dhënave, vetëm në dy maternitetet e Tiranës rreth 18 foshnje në vit braktisen nga nënat e tyre dhe disa prej tyre kanë anomali në lindje.
Tv Klan