Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Televizionin Klan gjatë edicionit qendror të lajmeve, Ministrja Lindita Nikolla shpjegoi se sot kishte zbritur në protestën e studentëve për të dialoguar me ta.
"Qëllimi ishte qëllimi i një nëne, teksa dëgjon se disa bijë dhe bija, edhe pse në mes të shiut kërkojnë që Lindita Nikolla të zbresë me ta në shesh. Zbrita për të dialoguar me ta, në momentin që e refuzuan edhe këtë dialog, pasi e kërkuan, patjetër që u largova. Pra edhe një herë, nëna Lindita Nikolla që dëgjon thirrjet e studentëve, sigurisht Ministrja që mendon që studentët kanë të drejtë, iu përgjigja thirrjes së studentëve për të dialoguar me ta, qoftë edhe përpara atyre në shesh", tha Nikolla.
"Zgjidhja që unë propozoj është pikërisht komunikimi dhe dialogu, nuk kam bërë asnjë lloj kërkese për negociata, por vetëm dialog, për të gjitha pikat që propozojnë studentët. Le të shërbejë kjo protestë, si një katalizator i një kuvendimi midis të gjithë aktorëve në jetën universitare, për të folur mbi të vërteta, për të marrë vendimet dhe më pas veprimet e duhura, për realizimin e shumë prej shqetësimeve të studentëve. Kur ka komunikim, dialog dhe ndërveprim çdo gjë është e mundur. Në demokraci armët e vetme që veshin mendimin dhe veprimin, besoj janë dialogu, komunikimi dhe konsensusi", u shpreh Ministrja.
Por sa mundësi ka që të realizohen kërkesat e studentëve?
"Nuk ka ndodhur që kur ka qëndrim, kur ka vullnet për të gjetur zgjidhje, kur ka ndërveprim, kur ka komunikim dhe këtu kam parasysh studentët, profesoratin, edhe ministrinë, patjetër ne do të gjejmë edhe fajtorët e duhur, qoftë kjo edhe Ministrja e Arsimit. Por e rëndësishme është për të ecur përpara dhe për të zgjidhur shumë nga shqetësimet e drejta të studentëve. Studentët kanë gjithmonë të drejtë, ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje", tha Ministrja Nikolla./tvklan.al