Vërshimi i përrenjve që zbresin nga mali i Murganës shembin dhe nxjerrin jashtë funksionit tre ura në Dropullin e Sipërm në Gjirokastër. Shembja e Urës së Pllatanjasë, Urës së Mullirit dhe Urës së Koshovicës, kanë shkaktuar ndërprerjen e plotë të lëvizjes së automjeteve dhe izolimin e fshatrave Selo, Klishar, Llongo, Koshovicë, Sotirë, Krioner, Likomil dhe Llovinë.
Situata nuk ka ndryshuar që prej një viti dhe deri më tani asnjë masë paraprake nuk është ndërmarrë. Banorët nuk ngurojnë të shprehen se ndihen të izoluar dhe se kanë vështirësi në marrjen e produketeve bazë.
"Kërkojmë nga qeveria që të marri masa për një urë, këtu ka pleq, është një emergjencë, nuk mund t'i marrim mes ujit dhe ta shpiem në Gjirokastër, në spital," u shpreh një banor. "Në një rast urgjent, nuk ka sesi të kalohet njeriu. Ai është i detyruar patjetër të vdesë", tha një tjetër. "Jemi detyruar të zbresim 3 km larg nga mali, të vimë poshtë për të marrë ushqimet tona", u shpreh kryetari i fshatit Llongo,Vangjel Lazo. "Tatimet dhe detyrimet që kemi ndaj shtetit, i paguajmë. Ne kërkojmë nga shteti të interesohet që të bëhet ura", tha një tjetër banor.