TIRANË - Vijoi edhe sot protesta e banorëve të "Unazës së Re", duke hyrë në ditën e 33-të të saj. Banorët bllokuan të dyja anët e rrugës njësoj siç kanë bërë përgjatë një muaji me radhë duke shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve. I pranishëm në mesin e protestuesve ishte edhe kryetari i PD, Lulzim Basha si dhe deputetë të tjerë demokratë.
Duke iu referua protestës së studentëve e cila u mbyll për sot vetëm një orë më parë pasi qeveria vendosi të shfuqizojë VKM-në për tarifën e lëndëve të mbartura, Basha tha se shqiptarët e kanë kuptuar se vetëm bashkimi përbën forcën.
Të rinjtë janë ngritur, janë bashkuar. Kanë arritur një sprasje, sepse iu kanë prishur rehatinë hajdutëve, njësoj si dhe kjo protestë këtu, ua ka prishur rehatinë. Sot kemi protesta në disa dimensione kundër qeverisë. Rama kërkon t'i nxjerrë banorët jashtë shtëpive në mes të dimrit. Sot qeveria u step nga protestat e studentëve. Rëndësia e madhe e kësaj proteste është se njerëzit po e kuptojnë se kjo është vetëm një bandë jo qeverisje. Studentët protestuan, shkoni shikoni pak konviktet, banjot, dushet, mencat, bibliotekat, laboratorët dhe lekët shkojnë aty ku vidhet, 48 mln euro këtu te "Unaza e Re". Lekët që duhet të shkonin për investime në arsim po i grabisin, sepse Rama njerëzit i do injorantë, sepse kështu i vjedh më kollaj dhe i mashtron më kollaj.
Lulzim Basha, kryetar i PD
I pyetur nëse PD do organizojë protesta, Basha tha se opozita do jetë në mbështetje të çdo proteste të qytetarëve, duke mos dhënë një përgjigje të qartë për aksionet e ardhshme të opozitës. "Detyra jonë është të jemi pranë këtyre njerëzve. Kjo është një protestë qytetare, një kauz qytetare. Ne do jemi në mbështetje të banorëve edhe kur është fjala për një shtëpi. Ne do jemi në krah të qytetarëve, të cilët protestojnë për të drejtat e tyre. Bashkimi është përgjigjia e vetme për t'u përballur me këtë qeveri hajdute".