Protesta e studenteve shtrihet edhe ne rrethe

2018-12-06 2

Studentë të universiteteve publike kanë bojkotuar edhe sot auditorët dhe kanë vijuar protestën e nisur 2 ditë më parë. Në Tiranë ata janë mbledhur përpara fakulteteve të tyre dhe më pas janë tubuar përpara Ministrisë së Arsimit.

Ata kërkojnë heqjen e pagesës për kreditet e provimeve të mbartura, përgjysmim të tarifës së shkollimit dhe shtyrjen e afatit të pagesës për në Janar. Një tjetër kërkesë është përmirësimi i kushteve në konvikte si dhe përfaqësim i tyre në vendimmarrje.

Mësimi u bojkotua nga studentët e Fakultetit Ekonomik, i Inxhinierisë, Mjekësisë, Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, etj. Sot protesta është shtrirë edhe në rrethe. Në rrugë kanë dalë edhe studentët e universitetit të Elbasanit si dhe ata të Durrësit.

Studentët e Shkodrës kanë lajmëruar se protestën do ta nisin ditën e premte ndërsa në Gjirokastër nuk raportohen protesta.

Një ditë më parë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se vendimi për kreditet e provimeve të mbartura ishte propozim i universiteteve, por mund të rishikohet. Ajo tha se për tarifat e tjera vendosin vetë universitetet.

Free Traffic Exchange