Report TV - Qytetari në 75-vjetorin e tij i dhuron 3 pemë kryeqytetit, Veliaj: T'í bashkohemi nismës

2018-12-04 0

Prej shumë vitesh, Ilia Duka dhe bashkëshortja e tij, Maria, e kanë kthyer në një traditë të bukur shëtitjen në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Në 75-vjetorin e lindjes, vajza e tij, Blerina, vendosi që ta përjetësojë këtë kujtim me mbjelljen e tre fidanëve në një nga shtigjet ku Ilia dhe Maria shëtisin çdo ditë.

Surprizës së bukur iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Jam shumë i lumtur që e nisëm ditën mbarë me një surprizë për mikun tonë, Ilia, që është një djalë i ri, por me letra sot ka 75-vjetorin. Jam shumë i lumtur që Blerina dhe Maria, dy vajzat e shtëpisë, organizuan këtë surprizë. Nuk besoj se kishte mënyrë më të mirë se kjo për t?i dhuruar tre pemë parkut tonë, në një rrugë të cilën Ilia dhe Maria e përshkojnë çdo ditë në ajër të pastër.

Erion Veliaj, Kreu i Bashkisë së Tiranës
Ai u shpreh se kjo zonë është pastruar nga të gjitha ndërtimet pa leje që kishin zaptuar territorin dhe nënvizoi se pavarësisht se ishte një vendim i vështirë, falë kësaj nisme, Parku i Liqenit është më i bukur e shfrytëzohet nga të gjithë.