Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë ka hartuar një plan të detajuar masash për muajin Dhjetor 2018, me qëllim përballimin e fluksit në hyrje-dalje në aeroportin e Rinasit, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet e tjera ligjzbatuese.
Në një njoftim për mediat, policia e shtetit bën një përmbledhje për punën e bërë gjatë muajit Nëntor. Kështu, gjatë kësaj periudhe Policia e Rinasit ka evidentuar dhe goditur 66 raste të paligjshmërisë.
Janë arrestuar dhe proceduar 10 persona për përdorim të dokumenteve të falsifikuara.
Në drejtim të parandalimit të azilkërkimit, u është refuzuar dalja 207 personave, të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Shengen.
Po gjatë muajit Nëntor nga Policia Kufitare janë kapur 9 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve, si dhe janë proceduar penalisht 52 persona për kalim të paligjshëm kufiri.
1 person është proceduar penalisht për mosdeklarim të hollash në kufi. Një person është arrestuar për mitdhënie, ndërsa një tjetër për kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Policia sqaron se gjatë muajit Nëntor kanë hyrë dhe dalë nëpërmjet aeroportit të Rinasit 203 694 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
"Policia Kufitare e Rinasit, për muajin Dhjetor 2018, duke pasur parasysh edhe përvojën e viteve të kaluara, por edhe tendencën në rritje të fluksit në hyrje dhe në dalje të qytetarëve dhe turistëve, do shtojë burimet njerëzore me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor, si dhe do bashkëpunojë ngushtë me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë", thuhet më tej në njoftimin për mediat./tvklan.al