Report Tv - Shemben 10 banesa, vijon puna për prishjen e ndërtimeve pa leje në Unazën e Re

2018-12-02 1

E ndërsa një pjesë e banorëve të Unazës së Re që kanë ndërtimet pa leje, por që kërkojnë shpronësim të plotë vijojnë protestën, në krahun tjetër vijon puna për zhvendosjen e shtyllave të ndriçimit, bimësisë që gjendet në aksin e rrugor nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana dhe prishjen e banesave që preken nga projekti.

Pas Ukë Çelkolajt, i cili pranoi të prishte vetë dy objektet e tij të ngritura në gjurmën e Unazës, të tjerë banorë janë ndërgjegjësuar dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe ARRSH-në, duke zhvendosur mobiliet dhe materialet elektroshtëpiake dhe duke bërë vetë çmontimin e objekteve, njofton bashkia e Tiranës.

Pas Çelkolajt një tjetër banor ka zhvendosur të gjitha mobilimet e biznesit të tij dhe ka nisur të rrëzojë vetë objektin pa leje që gjendet anës aksit kryesor të rrugës dhe që preket nga zhvillimi i projektit. Ndërkohë që edhe të tjerë banorë që kanë objekte pa leje në këtë segment kanë nisur gjithashtu largimin e mobilieve apo pajisjeve te tjera shtëpiake nga godinat e ndërtuara pa leje, duke i hapur rrugë tashmë makinerive të IMT-së së Bashkisë së Tiranës që të vijojë me prishjen e tyre.