Heqja e pemëve dhe shtyllave elektrike për ndërtimin e Unazës së Madhe është drejt përfundimit. Punimet vazhdojnë normalisht, ndërsa banorët nuk kanë penguar në asnjë moment heqjen e pemëve dhe shtyllave elektrike gjatë paradites të së dielës.
Edhe pse Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe policia rrugore kanë marrë masa për normalizimin e trafikut, heqja e semaforëve dhe ngushtimi i rrugës ka bërë që aksi rrugor që lidh pallatin me shigjeta me doganën të jetë i ngarkuar.
Pjesa më e madhe e bizneseve që preken nga ndërtimi i rrugës, kanë filluar të boshatisen, pasi në ditët në vijim pritet shembja e tyre. Të hënën inxhinierët e Autoritet Rrugor Shqiptar do të zbresin në terren për të bërë vlerësimin e 67 objekteve që disponojnë dokumentacion të rregullt. Deri tani janë shembur 8 objekte që kanë qenë pa leje. Në terren ka filluar edhe lirimi vullnetar nga banorët.
Disa prej familjeve kanë pranuar zhvendosjen në banesa sociale, ndërsa të tjera po negociojnë për bonusin e qerasë. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkia e Tiranës thonë se do të vazhdojë prishja e ndërtimeve pa leje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe. Ndërsa pjesë e banorëve të zonës, të cilëve u shemben banesat dhe ndërtimet, janë në ditët e 29 të protestës dhe kanë paralajmëruar që pasditen e së hënës të bllokojnë sërish rrugën kryesore.
Tv Klan